Ditën e djeshme në datën 23 shkurt, Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, organizoi online një leksion të hapur me temë ‘’E vërteta në kohën e internetit’’, të mbajtur nga Prof. Asoc. Dr. Zamira Cavo, Kryetare e Bordit të të Besuarve dhe njëkohësisht Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë në Universitetin ‘’Barleti’’.
Leksioni u hap dhe u moderua nga përgjegjësi i këtij departamenti, Dr. Shpëtim Cami i cili në fjalën e tij, ndër të tjera u shpreh se sot, diktuar edhe nga kushtet e pandemisë, interneti dhe teknologjia janë pjesë e pandashme, të cilët bëjnë që ne të përballemi si me të vërtetat ashtu edhe me ato që i quajmë ‘’fake news’’.
Më tej leksioni i hapur vijoi me prezantime nga Prof. Asoc. Dr. Zamira Cavo të disa slide-ve, të cilat ajo i konsideroi si fenomenet dhe ngjarjet e fundit mediatike ndërkombëtare. Ajo u shpreh se sot ne jetojmë në epokën e ‘’pas – të vërtetës’’ ose ‘’post-truth’’, ku informacioni është i orientuar jo drejt arsyes, por emocioneve me qëllim krijimin e një realiteti paralel dhe fiktiv. Duke qenë se ka ndryshuar dhe paradigma e komunikimit, individët janë shndërruar në ‘’Prosumer’’, pra drejt produktit dhe konsumit, mjafton të kesh forcë dhe fuqinë të imponosh të vërtetën tënde.
Ndërsa nga një studim i Oksfordit, 60 % e njerëzve sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e marrin informacionin vetëm nga rrjetet sociale, u shtrua pyetje se a mundet që bota për një moment të ndalojë dhe të mendojë sa i vërtetë është ky apo ai lajm, çfarë duhet bërë për të reduktuar ‘’fake news-et’’ dhe si mund të ndalohen ato së prodhuari? E vështirë por jo e pamundur konkludoi, Prof. Asoc. Dr. Zamira Cavo, pasi trajektorja për të njohur të vërtetën duhet të kalojë nga shkenca, arsimi dhe ligjet. Me tej aktiviteti vijoi me pyetje dhe komente të shumta nga pjesëmarrësit në lidhje me temën.










