U TRAJNUAN 30 MËSUES TË GJIMNAZEVE TË TIRANËS PËR ZBATIMIN E MODELIT MËSIMOR “STEAM”

Në zbatim të projektit “Edukimi i të rinjve nëpërmjet programit STEAM”, mbështetur nga Bashkia Tiranë në kuadër të vitit Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë, në mjediset e Universitetit “Barleti” u zhvillua trajnimi i 30 mësuesve të gjimnazeve “Petro Nini Luarasi”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri” dhe “Besnik Sykja”. Nga secili gjimnaz merrnin pjesë 6 mësues të shkencave, të matematikës, të arteve , të teknologjisë dhe TIK-ut, të cilët janë njohur me filozofinë, parimet, praktikat e planifikimit dhe zhvillimit të mësimdhënies sipas modelit mësimor “STEAM” konform kurrikulës me kompetenca që zbatohet në shkollë. Mësuesit paraqitën punimet e tyre dhe diskutuan rreth pikave të forta dhe mundësive që ata kanë për të pasuruar proceset e mësimdhënies dhe të nxënit me anë të modelit “STEAM”, si një rrugë e efektshme për edukimin dhe formimin e të rinjve me aftësi kërkimore, aftësi të të menduarit kritik e krijues, të problem zgjidhjes që janë të domosdoshme për jetën. Projektet ose produktet më të mira që do të përgatiten nga nxënësit gjatë orëve mësimore dhe projekteve ndërlëndore do të prezantohen me datë 20 dhjetor 2022, ku do të jepen dhe çmime fituese për to. Modeli “STEAM” ka gjetur përkrahje dhe mbështetje nga mësuesit e gjimnazeve, të cilët në bashkëpunim me drejtoritë e tyre po mendojnë të zbatojnë në vijimësit orë mësimore dhe projekte lëndore mbi këtë metodologji.